Arti i rrugës dhe e drejta e autorit
- Autorësia dhe pronësia
- Të drejtat dhe kufizimet
- Kalimi i mëtejmë i të drejtave
- Të drejtat morale dhe muralet
Këtë vit Kosova ka qenë pritëse e një numër aktivitetesh të
ndryshme
kulturore e sportive siç ishin Manifesta, Dokufest, Meeting of
Styles dhe festivale të tjera të shumta. Të gjitha këto
aktivitete
kishin diçka të përbashkët - krijimtarinë intelektuale të
krijuesve
pjesëmarrës në këto ngjarje. Meeting of styles, për shembull,
këtë
vit solli në Prishtinë një numër artistësh të cilët përmes artit
të
muraleve apo artit të rrugës ndryshuan Rrugën B në Prishtinë.
Një
sërë aktivitetesh të artit të rrugës po ndërmirren në vazhdimësi
edhe në një qytet tjetër të Kosovës, përkatësisht Ferizaj, ku
komuniteti i MuralFest Kosova ka bërë një punë të
jashtëzakonshme me
artin e rrugës në këtë qytet.
Raporti midis të drejtave të autorit dhe artit të rrugës është
mjaft kompleks dhe trajtohet ndryshe në vende të ndryshme. Kjo
për faktin se disa palë mund të konsiderohen si palë të
interesit kur kemi të bëjmë me muralet. Kështu, në rradhë të
parë është artisti apo muralisti, i cili krijon muralin dhe në
parim konsiderohet autor dhe bartës i të drejtës së autorit në
atë mural. Pastaj, është pronari i murit apo ndërtesës ku
vendoset apo paraqitet murali dhe që konsiderohet si pronar apo
posedues në atë që njihet si “kopje e veprës” psh pjesën e murit
ku është e vendosur murali. Në disa raste, pronari i murit është
edhe porositës i veprës meqë artisti angazhohet për krijimin e
muralit përmes kontratës për vepër nga pronari i murit dhe,
rrjedhimisht, mund të jetë edhe bartës i së drejtës së autorit.
Ndërsa, në grupin e tretë të palëve të interesuara bëjnë pjesë
personat të cilët mund të e përdorin muralin e caktuar në formë
të modifikuar për shembull përmes fotografive, videoinçizimeve
të këngëve apo filmave, pastaj paraqitja e muraleve nëper libra
apo veshje dhe të tjera përdorime për qëllime komerciale.
Për të sqaruar këtë raport kompleks, ky artikull do të shqyrtoj në
mënyrë të përmbledhur disa çështje me rëndësi siç janë autorësia dhe
pronësia, të drejtat pasurore dhe kufizimet ligjore, kalimi i
mëtejmë i të drejtave, si dhe të drejtat morale të artistit të
muralit. Ky artikull nuk i trajton këto çështje në raport me artin e
rrugës që krijohet në mënyrë jo të ligjshme, në kuptimin që mungon
leja apo pëlqimi i pronarit të ndërtesës ku vendoset arti.
Autorësia dhe pronësia
Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta përcakton
se autor është personi fizik i cili e ka krijuar veprën . Pra, ne
parim, personi fizik apo artisti i cili e ka krijuar muralin
është
autor dhe bartës i parë apo pronar i të drejtës së autorit.
Për
dallim nga të drejtat e pronësisë industriale të cilat për të
gëzuar
mbrojtje sipas ligjeve të aplikueshme duhet të e ndjekin
procedurën
e përcaktuar administrative për regjistrimin e këtyre të
drejtave;
për të gëzuar mbrojtjen e të drejtës së autorit në anën tjetër, nuk
kërkohet plotësim paraprak i çfarëdo formaliteti administrativ . I
vetmi kusht që kërkohet të plotësohet është kriteri i
origjinalitetit . Mjafton që një vepër të jetë origjinale, dhe
autori gëzon të drejtat e përcaktuara me me vetë faktin e krijimit
të asaj vepre psh muralit
Mirëpo, shumë nga këto murale krijohen nga artistët të cilët
angazhohen nga shoqata apo kompani të ndryshme ose angazhohen përmes
ndonjë konkursi publik nga organi kompetent lokal apo edhe Ministria
e Kulturës. Në raste të caktuara mund të ketë edhe më shumë
porositës apo mbështetës të ndryshëm për krijimin e një murali të
caktuar. Edhe në një rast të tillë kur murali është krijuar përmes
angazhimit, autor i muralit konsiderohet artisti i cili ka krijuar
muralin. Kjo për faktin se Ligji njeh si autor vetëm personin fizik.
Mirëpo, përmes kontratës për veprën, autori mund të i bartë të
drejtat e caktuara ekonomike/pasurore tek porositësi i veprës dhe,
në këtë rast, bartës i të drejtës së autorit do të konsiderohej
porositësi i muralit. Në mungesë të një kontrate të tillë, sipas
Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
porositësi gëzon vetëm të drejtën e publikimit dhe të shpërndarjes
së veprës, ndërsa autori ruan të drejtat tjera . Të njejtat rregulla
zbatohen mutatis mutandis edhe ndaj veprës që autori e ka krijuar si
fitues i konkursit publik. Rrjedhimisht, përveç nëse porositësi dhe
artisti kanë kontratë të lidhur midis tyre si dhe kjo kontratë
përmban dispozita të veçanta për bartjen e të drejtave të caktuara
nga artisti tek porositësi, ky i fundit sipas ligjit do të gëzoj
vetëm të drejtën e publikimit dhe të shpërndarjes së veprës.
Në anën tjetër, kemi edhe pronarin e “kopjes së veprës” dhe që është
pronari i ndërtesës apo murit ku është i vendosur murali dhe që në
të shumtën e herave është edhe porositës i veprës. Për dallim nga
pikturat të cilat janë të paraqitura ose në kanvans ose në letër,
murali paraqitet në një pjesë të murit apo në ndonjë hapësirë
tjetër. Pronari i murit apo ndërtesës ku është krijuar murali mund
të posedoj me këtë “kopje të veprës” në mënyrën se si ai e
konsideron të arsyeshme. Kjo meqë e drejta e autorit është e pavarur
nga e drejta e pronësisë mbi sendin ku është përfshirë vepra e
autorit
Të drejtat dhe kufizimet
Me krijimin e muralit, artisti si autor dhe bartës i parë i të
drejtës së autorit gëzon dy lloj të drejtash: të drejtat ekonomike
apo pasurore dhe të drejtat morale. Ne grupin e të drejtave pasurore
hyjnë për shembull e drejta e riprodhimit, e drejta e shpërndarjes,
pastaj shfrytëzimi i veprës në formën e modifikuar etj. Ndërsa, në
grupin e të drejtave morale hyjnë për shembull e drejta e njohjes së
autorësisë, e drejta në integritet të veprës dhe të drejta të tjera
të cilat mund të jenë më pak relevante në rastin e muraleve . Të
drejtat ekonomike mund të barten apo kalohen tek persona të tjerë ;
ndërsa, të drejtat morale nuk mund të barten . Ato mbesin me autorin
përgjatë tërë vlefshmërisë së tyre edhe në rastet kur pronësia në
lidhje me të drejtat ekonomike mund të jetë bartur tek dikush
tjetër.
Sipas nenit 53 të Ligjit për të drejtat e autorit, veprat e
vendosura në hapësira publike dhe në vende të tjera ku është lejuar
qasja e përgjithshme publike shfrytëzohen lirshëm. Kjo dispozitë
është jashtëzakonisht e gjerë dhe në fakt përfshin përveç veprave
tri-dimensionale siç janë për shembull veprat e arkitekturës edhe
veprat dy-dimensionale siç është rasti me muralet. Pastaj, sipas
këtij definimi, të përjashtuara nga leja janë edhe veprat të cilat
ndodhen në vende të tjera ku është e lejuar qasja e përgjithshme
publike dhe që nënkupton muzetë apo vende kulturore të ngjajshme.
Kjo nënkupton se krijimi i veprave derivative nga këto vepra të
vendosura në hapësira publike siç është fotografimi i muraleve, në
parim, nuk përbën shkelje të të drejtës së autorit. Pra, vetë
fotografimi nuk përbën shkelje të të drejtës së autorit nëse bëhet
pa lejen e bartësit të së drejtës.
Megjithëkëtë, mënyra se si përdoret tutje kjo fotografi mund të
përbëj shkelje të të drejtës së autorit. Kjo për faktin se
shfrytëzimi i veprave të vendosura në hapësira publike nuk është i
lejueshëm të bëhet në formë tredimensionale ose për qëllim të njejtë
si vepra burimore, e as për interes komercial të drejtëpërdrejtë apo
të tërthortë. Kjo nënkupton se liria e panoramës sipas
legjislacionit të aplikueshën në Kosovë është e kufizuar vetëm në
rastet kur për shembull fotografia e bërë e një murali të vendosur
në hapësirën publike përdoret për qëllime personale. Përveç këtyre
rasteve, përdoruesi duhet të marrë pëlqimin e bartësit të së
drejtës, për shembull, për të krijuar vepra derivative dhe për t'i
shfrytëzuar ato për qëllime komerciale. Në rastin konkret, nëse
fotografia e një murali do të përdoret nga një biznes si logo apo
markë tregtare e tij për produktet ose shërbimet që i ofron, atëherë
për një përdorim të tillë, shfrytëzuesi duhet të marr leje nga
bartësi i së drejtës.
Kalimi i mëtejmë i të drejtave
Marrja e pëlqimit të përdorimit të muralit në formën e modifikuar
psh si fotografi, në anën tjetër, shpesh herë përbën një sfidë në
vete. Kjo për faktin se në të shumtën e rasteve, pikërisht për shkak
se shumë palë janë të përfshira në krijimin e një murali, pronësia
nuk është e qartë. Autori i një muralit mund të dihet qoftë përmes
emrit apo pseudonimit të vendosur në mural; mirëpo, jo
domosdoshmërisht eshtë i njohur edhe bartësi i së drejtës. Pra, një
palë e tretë e ka të vështirë të e identifikoj se kush është bartës
i së drejtës së autorit në një mural prej të cilit edhe duhet të e
marr të drejtën e riprodhimit të muralit në formën e modifikuar.
Në anën tjetër, edhe në rast se bartësi i së drejtës do të ishte
lehtë i identifikueshëm, jo domosdoshmërisht mjafton vetëm pëlqimi
apo leja e bartësit. Kjo për faktin se sipas Ligjit për të drejtat e
autorit dhe të drejtat e përafërta, personi që me anë të kalimit ka
fituar të drejtën pasurore ose një të drejtë tjetër të autorit nuk
mundet pa leje të autorit të bëjë kalim të mëtejmë të të drejtave të
tilla në një person të tretë, përveç nëse me kontratë është paraparë
një gjë e tillë.
Prandaj, një problem i tillë nuk do të ekzistonte në rast se do të
kishim një kontratë për porosinë midis porositësit të veprës dhe
autorit apo muralistit si dhe kjo kontratë, në shtesë të klauzolës
për bartje të së drejtës, të përfshinte edhe dispozita përmes së
cilave autori do të lejonte kalimin e mëtejmë të të drejtave tek
palët e treta.
Të drejtat morale dhe muralet
Përveç të drejtave pasurore, Ligji për të drejtat e autorit dhe të
drejtat e përafërta përcakton edhe të drejtat morale të autorit, të
cilat sikurse u përmend më lartë, janë të pa transferueshme. Kjo
nënkupton që, ndër të tjera, autori mban të drejtën ekskluzive ta
kundërshtojë çfardo deformimi, apo intervenimi tjetër në veprën e
tij, si dhe çfarëdo shfrytëzimi të veprës së tij, nëse një ndërhyrje
e tillë do të mund të paragjykonte reputacionin e tij kreativ dhe
respektin.
E drejta në integritet të veprës në rastin e muraleve është
jashtëzakonisht komplekse dhe e ndjeshme për vetë faktin se në
parim, e drejta e autorit është e pavarur nga e drejta e pronësisë
mbi sendin ku është përfshirë vepra e autorit . Në rastin e
muraleve, vepra është e vendosur në ndonjë mur, ndërtesë apo çfarëdo
objekti tjetër e cila rrallë herë është në pronësi të autorit. Në
një rast të tillë, mund të ndodh që në një kohë të caktuar në mural
të intervenohet nga pronari i objektit. Nëse një intervenim i tillë
është bërë pa pëlqimin e artistit, atëherë mund të krijohen rrethana
të shkeljes së të drejtës morale në integritet të veprës nga pronari
i ndërtesës edhe në ato raste kur pronari i murit është edhe bartës
i së drejtës së autorit.
Mirëpo, që një intervenim i tillë të konsiderohet shkelje e të
drejtës morale të autorit, ai intervenim duhet të paragjykojë
reputacionin kreativ dhe respektin e autorit. Pra, jo çdo intervenim
në mural do të mund të konsiderohet si shkelje e kësaj të drejte. Se
çfarë konsiderohet shkelje e kësaj të drejte, praktika gjyqësore
është shumë e mangët. Nuk ka ndonjë aktgjykim të raportuar i cili do
të mund të jepte shembuj të shkeljes së kësaj të drejte. Rastet si
prishja në tërësi e muralit apo zëvendësimi i muralit me mural të
një artisti tjetër janë dy nga shumë situatat në të cilat praktika
gjyqësore e shumë vendeve ka konsideruar së ka qenë e nevojshme leja
apo pëlqimi i artistit.
Përkundër që praktika gjyqësore në Kosovë është e mangët në këtë
çështje - të paktën nuk ka aktgjykime të raportuara - kjo nuk do të
thotë që shkelje të të drejtave morale të artistëve apo përdorime të
paautorizuara të muraleve në forma të ndryshme nuk ndodhin. Ajo çka
është me rëndësi të theksohet si përfundim është fakti që një raport
aq kompleks sa ky midis artistit, bartësit dhe pronarit të “kopjes
së veprës” në rastin e muraleve rekomandohet të rregullohet
detajisht me kontratë. Në mungesë të një kontrate të tillë, të
gjithë palët e përfshira duhet të jenë në dijeni për të drejtat dhe
detyrimet e palëve të tjera sipas ligjit të aplikueshëm në mënyrë që
të shmangen situatat e shkeljes të të drejtave të autorit si
ekonomike ashtu edhe morale.
Published : April 2023
Kujtesa Nezaj
IPLegals
+383 44 434 053
info@ip-legals.com
Rr. Shefqet Shkupi, Kompleksi Prishtina Stars, Blloku B, Nr. 7, 10000 Prishtine, Kosovo
Get in touch