Pronësia Intelektuale dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme
Vendosja e ideve në treg
- 1. Koha është thelbësore
- 2. Të drejtat e PI janë territoriale
- 3. Ekzistojnë të drejta të ndryshme të PI
- 4. Përfshirja e klauzolave të PI-së në kontrata
- 5. Shmangia nga përdorimi i paautorizuar i PI-së
Artikulli është shkruar nga Kujtesa Nezaj, Avokate, dhe së pari është publikuar në Revistën Autori # VIII, Dhjetor 2021, faqe 41-47
Konkurrueshmëria midis ndërmarrjeve sot matet më shumë përmes
vlerësimit të pronës intelektuale (tutje PI) apo aseteve të
paprekshme sesa pronës së prekshme. Një ndërmarrje mund të ketë në
pronësi toka, asete si maqineri, kompjuterë apo asete të tjera të
cilat padyshim i japin vlerë ndërmarrjes së caktuar. Mirëpo, në
raport me konsumatorin dhe konkurentët e tjerë në treg ajo që e
vendos një ndërmarrje më lartë është padyshim produkti apo shërbimi
që e ofron dhe risitë apo avancimet që i sjell me këto
produkte/shërbime. Çdo ndërmarrje lufton që të sjell tek konsumatori
produkte apo shërbime më të mira sesa ndërmarrjet konkurruese. Për
realizim të këtij qëllimi, ndërmarrjet përdorin teknika inovative,
metoda inovative të shitjes, paketime që janë më atraktive për
konsumatorin, dhe të tjera të ngjajshme të cilat që të gjitha
konsiderohen si PI e një ndërmarrje dhe padyshim ndikojnë në rritjen
e vlerës së një biznesi.
Me qëllim të nënvizimit të këtij roli kyç që të drejtat e pronësisë
intelektuale luajnë në krijimin e ndërmarrjeve më të forta dhe më
konkurruese, Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (tutje
WIPO) këtë vit ka shënuar ditën botërore të pronësisë intelektuale
me temën: Pronësia Intelektuale dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme:
Vendosja e ideve në treg. Tema e këtij viti ka qenë shumë relevante
dhe e rëndësishme për Kosovën meqë numrin më të madh të ndërmarrjeve
e përbëjnë pikërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat kanë
potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar produkte dhe shërbime
inovative të cilat mund të jenë objekt i mbrojtjes me ndonjë prej të
drejtave të pronësisë intelektuale. Prandaj, ky artikull ka për
qëllim që ndërmarrësve të rinj të i’u ofrojë disa këshilla se çfarë
duhet të dijnë apo çfarë duhet të kenë parasysh nëse dëshirojnë që
të kenë një portfolio të sukseshme të të drejtave të pronësisë
intelektuale.
1. Koha është thelbësore
Shpesh e ndëgjojmë ose lexojmë se një ndërmarrës duhet të jetë i
njoftuar me sistemin e PI-së dhe të ndërmarrë veprime për
identifikimin dhe mbrojtjen e të drejtave të PI-së prej themelimit
të biznesit. Në fakt, parimi i njohur se “koha është thelbësore”
vlen jashtëzakonisht shumë kur kemi të bëjme me mbrojtjen dhe
zbatimin e sukseshëm të të drejtave nga PI. Një vonesë sado e vogël
në ndërmarrjen e një veprimi mund të vendos biznesin e caktuar në
një disavantazh në raport me ndërmarrjet konkurruese.
Një ndërmarrës duhet të jetë i njoftuar dhe të ndërmarrë veprime
si
për zotërimin ashtu edhe për mbrojtjen e një të drejte të PI-së
para
themelimit të ndërmarrjes dhe atë gjatë draftimit të planit të
biznesit. Kjo për arsye se ndërmarrësit duhet të sigurohen
se
biznesi do të ketë në pronësi të gjithë PI të krijuar përgjatë
aktivitetit të biznesit dhe atë menjëherë posa ajo PI të jetë
krijuar. Kjo mund të bëhet, për shembull, përmes përfshirjes së
klauzolave të PI në kontratat midis themeluesve të kompanisë, në
kontratat e shërbimeve me profesionistë të pavarur shërbimet e të
cilëve biznesi synon të përdorë, si dhe në kontratat e punës. Të
gjitha këto veprime duhet të ndërmerren pa vonesë dhe para se të
krijohet ndonjë vepër akoma.
Parimi “koha është thelbësore” vlen gjithashtu edhe për regjistrimin
apo mbrojtjen në kohë të një të drejte të caktuar të PI në vendin e
caktuar. Sikurse do të shpjegohet në detaje më poshtë, në shumicën e
vendeve, një e drejtë e caktuar e PI regjistrohet sipas parimit “i
pari që e paraqet”. Kjo nënkupton që pavarësisht nga përdorimi i një
të drejte të veçantë të PI, nëse kompania nuk regjistron me kohë të
drejtën e saj tek autoritetet kompetente, ajo nuk gëzon të drejta.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që biznesi të ketë një strategji
të qartë për PI dhe të marrë të gjitha veprimet e parashikuara nga
ligji sa më shpejt të jetë e mundur.
2. Të drejtat e PI janë territoriale
Të gjitha të drejtat e PI-së janë të lidhura me territor të caktuar.
Kjo nënkupton se fakti që një biznes apo ndërmarrje regjistron për
shembull një markë tregtare apo një patentë në Kosovë, nuk do të
thotë që do të gëzojë të njejta të drejta edhe në një shtet tjetër.
Regjistrimi në Kosovë vlen vetëm për territorin e Kosovës dhe
anasjelltas, regjistrimi në një vend tjetër vlen vetëm për atë vend.
Për të gëzuar mbrojtje në territoret që janë në interes për
biznesin, i njejti duhet të regjistrojë të drejtën e caktuar me
organet kompetente të atij shteti (përjashtimisht të drejtën e
autorit).
Çfarëdo e drejte e PI-së e regjistruar në disa vende përbën investim
dhe padyshim se është shumë e vlefshme për biznesin. Mirëpo, çdo
regjistrim në një vend apo tjetër sigurisht që mbart në vete edhe
një kosto të caktuar. Prandaj, është shumë me rëndësi që një biznes
të përcaktohet vetëm për territoret në të cilat mbrojtja e një të
drejte të PI-së ka vlerë më të madhe për biznesin. Një ndërmarrje ka
në pronësi një portfolio të sukseshme të PI-së nëse e gjithë prona
intelektuale është identifikuar dhe mbrojtur në kohën dhe vendin e
duhur. Për shembull, është me rëndësi që një biznes të ketë
regjistrimin e markës së produktit në vendet ku bën eksportimin e
atij produkti apo vendet ku mendon të eksportojë atë produkt në të
ardhmen e afërt, apo në vendet ku mendon të gjenerojë profit nga
eksploatimi i markës tregtare apo një të drejte tjetër të PI-së
përmes licensimit. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që
plani për zgjerimin e biznesit në territoret e tjera të bëhet
paralelisht me mbrojtjen e të drejtave të PI-së në ato territore.
3. Ekzistojnë të drejta të ndryshme të PI
Për të krijuar një strategji të sukseshme të PI, ndërmarrësit duhet
të kenë njohuri, të paktën bazike, për llojet e të drejtave të PI që
janë në dispozicion, qëllimin e secilës prej tyre dhe mënyrën se si
funksionojnë dhe ndërveprojnë këto të drejta njëra me tjetrën. Në
mungesë të këtij vetëdijësimi, një ndërmarrës do ta këtë të vështirë
të identifikojë se çfarë prone intelektuale tashmë ka krijuar
ndërmarrja e caktuar apo çfarë prone ka mundësi të krijojë.
Për
shembull, nëse një kompani ka krijuar një softuer kompjuterik për
lehtësimin e një pune të caktuar, atëherë mund të kenë të drejtën e
autorit në atë softuer kompjuterik. Ndërsa, nëse biznesi prodhon një
produkt të caktuar apo ofron një shërbim nën një shenjë
identifikuese, ateherë mund të ketë në pronësi një markë tregtare në
emrin apo logon e produktit apo edhe dizajn industrial në pjesën
estetike të paketimit të produktit dhe ndoshta edhe të drejtë
autoriale në logon origjinale të përdorur. Rrejdhimisht,
identifikimi i saktë i aseteve intelektuale para së gjithash është
proces që kërkon njohuri të caktuar të fushës. Ekzistojnë disa lloje
të drejtave të PI. Shumica e bizneseve përdorin këto katër –
patenta, marka tregtare, dizajni industrial dhe të drejtat e
autorit. Për të gjitha të drejtat e PI të përmbledhura në vijim
ekzistojnë ligje të veçanta të cilat rregullojnë kushtet dhe
procedurën për mbrojtjen dhe zbatimin e këyre të drejtave.
Patenta për shembull është e drejtë ekskluzive e dhënë në
lidhje me
një shpikje, e cila mund të jetë një produkt ose një proces. Ajo i
jep pronarit të patentës të drejtën për të ndaluar të tjerët të
krijojnë produktin ose përdorin procesin përkatës që është objekt i
mbrojtjes me patentë. Jo çdo shpikje mund të patentohet. Ekzistojnë
disa kritere të natyrës materiale dhe formale që duhet të plotësohen
në mënyrë që një shpikje të mund të mbrohet me patentë. Me kritere
materiale nënkuptojmë që patenta do të jepet me kusht që shpikja të
jetë e natyrës teknike; përbëjë risi (mbarëbotërore); përmbajë hap
shpikës; jetë e aplikueshme në industri, si dhe të mos jetë në
grupin e shpikjeve të përjashtuara.
Ndërsa, me kushtet formale nënkuptohet paraqitja e aplikimit për
njohje të patentës pranë organeve kompetente të shtetit, në rastin e
Kosovës, pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (tutje API). Pra, e
drejta në patentë fitohet me regjistrim pranë organit kompetent në
vendin e caktuar.
Nuk është e mundur të merret një patentë mbarëbotërore, por ka
mekanizma që lehtësojnë procesin e aplikimit ose regjistrimit në më
shumë se një vend, siç është sistemi i Traktatit të Bashkëpunimit të
Patentave (PCT) dhe sistemi rajonal i Konventës së Patentave
Evropiane (EPC). Sidoqoftë, edhe në raste të tilla, patentat
zbatohen veçmas në secilin shtet të caktuar. Meqenëse një patentë
mund të jepet vetëm për shpikjet që paraqesin risi, kompanitë
këshillohen të mos e zbulojnë ose publikojnë shpikjen para se të
paraqesin një kërkesë për patentë sepse kjo mund të kufizojë
mundësinë e mbrojtjes së patentës për atë shpikje.
Grupin tjetër të të drejtave të PI dhe atë me shumë rëndësi për
bizneset e përbëjnë markat tregtare. Me markë tregtare nënkuptojmë
çdo shenjë, e në veçanti fjalët, përfshirë emrat personal, skicimet,
shkronjat apo/dhe numrat, forma e mallrave apo paketimet e tyre,
ngjyrat apo kombinimi i gjithë këtyre, e cila shërben si
identifikues i origjinës komerciale të një produkti apo shërbimi të
caktuar. Pra, funksioni kryesor i një marke tregtare është
identifikimi i origjinës përmes diferencimit apo dallimit të
produkteve apo shërbimeve të një ndërmarrje nga produktet apo
shërbimet e një ndërmarrje tjetër.
Sikurse tek patentat, edhe në rastin e markave tregtare duhet të
plotësohen disa kushte të natyrës materiale dhe formale në mënyrë që
ndërmarrja e caktuar të mund të i realizojë të drejtat nga marka
tregtare. Për shembull, si markë tregtare mund të regjistrohen vetëm
shenjat që janë të dallueshme apo veçanta dhe që nënkupton se
shenjat të cilat mund të jenë përshkruese apo të përgjithshme në
industrinë e caktuar nuk mund të shërbejnë si marka tregtare.
Pastaj, shenjat duhet të mos përmbajnë përmbajtje të paautorizuar,
të mos jenë mashtruese, në rast se shenja përbëhet nga forma e
produktit apo paketimi i produktit, të njejtat nuk duhet të jenë
funksionale etj. Përveç këtyre pengesave të cilat janë të natyrës
absolute meqë qëllimi i tyre është mbrojtja e interesit të
përgjithshëm, ekzistojnë edhe disa pengesa relative, qëllimi i të
cilave është mbrojtja e interesit të ndërmarrjeve të cilat kanë të
drejtat e tyre më të hershme. Rikujtojmë këshillën e parë: koha
është thelbësore. Kështu, si markë tregtare në parim nuk do të mund
të regjistrohet as shenja e cila është identike ose e ngjashme me
markën tregtare të aplikuar apo regjistruar më herët nga një
ndërmarrje tjetër. Qëllimi i kësaj pengese është pikërisht shmangia
e hutisë apo konfuzionit tek konsumatori në lidhje me origjinën
komerciale të një produkti apo shërbimi të caktuar. Mirëpo, një
shenjë nuk do regjistrohet si markë tregtare për shkak se është e
njejtë apo e ngjajshme me një markë të mëhershme vetëm nëse
ndërmarrja që ka në pronësi markën e mëhershme do të paraqet
kundërshtimin brenda afatit të paraparë. Prandaj, kompanitë
këshillohen që të njihen me këto procedura dhe të marrin masa
proaktive për të identifikuar dhe vepruar në kohën e duhur kundër
markave tregtare potencialisht shkelëse.
Të drejtat e markës tregtare janë të natyrës negative, që nënkupton
se për të përdorur një shenjë në tregti nuk është i obligueshëm
regjistrimi. Megjithatë, pa një vendim të regjistrimit, ndërmarrja e
cila është duke e përdorur shenjën e caktuar si markë tregtare nuk
do të mund të i ndalojë palët e treta që të përdorin shenjën e
njejtë apo të ngjashme me të tyren. Rrjedhimisht, të drejtat nga
markat tregtare mund të i gëzojnë vetëm bartësit e markave të
regjistruara tregtare. Gjithashtu, për një ndërmarrje është shumë me
rëndësi që të bëhet dallimi midis emrit të biznesit apo emrit
tregtar dhe markës tregtare. Regjistrimi i emrit të biznesit nuk
nënkupton regjistrim të markës tregtare. Për më tepër, një biznes
mund të ketë vetëm një emër biznesi i cili shërben për identifikimin
e atij biznesi; ndërsa, mund të ketë në pronësi një numër të markave
tregtare varësisht prej veprimtarisë së biznesit dhe zgjerimit të
tij, e gjithë kjo me qëllim të dallimit të produkteve apo shërbimeve
të ndërmarrjes. Prandaj, mbani parasysh se duke regjistruar një
biznes, nuk keni regjistruar automatikisht një markë tregtare dhe,
rrjedhimisht, nuk mund t'i ndaloni të tjerët të përdorin të njëjtën
markë tregtare ose të ngjashme.
Dizajnet industrial gjithashtu i përkasin drejtave të PI. Qëllimi i
tyre është mbrojtja e karakteristikave estetike apo zbukuruese të
produktit. Për dallim nga patentat, të cilat mbrojnë karakteristikat
teknike inovative të një produkti, dizajni industrial mbron pamjen e
jashtme të produktit. Me të drejtën e dizajnit industrial mbrohet
dizajni deri në atë shkallë në të cilën është i ri dhe ka karakter
individual. Pra, risia dhe karakteri individual përbëjnë kriteret
materiale të cilat duhet të përmbushen. Sikurse edhe të drejtat e
tjera të pronësisë industriale, dizajni industrial duhet të
regjistrohet me organin kompetent në vendin e caktuar në mënyrë që
bartësi të gëzojë të drejtat që dalin nga ai ligj. Bartësi i
dizajnit industrial ka të drejtë të ndalojë të gjitha palët e treta
nga përdorimi i dizajnit identik apo ndonjë dizajn tjetër i cili nuk
krijon një përshtypje të ndryshme tek shfrytëzuesi i informuar.
Kategori tjetër e të drejtave të PI gjithashtu e rëndësishme për
bizneset është padyshim e drejta e autorit dhe të drejtat e
përfarërta. Me të drejtën e autorit mbrohet shprehja apo paraqitja e
një ideje të caktuar. Pra, nuk mbrohet vetë ideja, por mënyra se si
është shprehur apo prezentuar ajo ide. Për dallim nga të drejtat e
pronësisë industriale sikurse janë patentat, markat tregtare apo
dizajnet industriale të cilat fitohen në momentin e regjistrimit, e
drejta e autorit mbi një vepër të caktuar fitohet me vetë krijimin e
veprës. Pra, nuk është i nevojshëm regjistrimi i krijimtarisë me
ndonjë organ administrativ. Megjithatë, sikurse edhe tek të drejtat
e tjera, edhe në rastin e të drejtave të autorit duhet të plotësohen
kushtet e përcaktuara me ligj në mënyrë që një vepër të konsiderohet
vepër e mbrojtur. Për të u kualifikuar për mbrojtje, lënda duhet të
jetë vepër në lëmin e literaturës, shkencës apo artit, si dhe së
dyti, lënda duhet të jetë origjinale në kuptimin që është krijim
intelektual I autorit. Meqë nuk kërkohet regjistrimi, kriteri i
origjinalitetit supozohet derisa nuk provohet e kundërta në
procedurë gjyqësore.
E drejta e autorit është e aplikueshme në vepra të ndryshme, të
cilat në disa raste për shkak të natyrës së tyre mund të
konsiderohen vepra jo të natyrës komerciale apo thënë ndryshe, nuk
pritet që një biznes të ketë të bëjë me ato vepra. Mirëpo, sikurse
mund të vërehet edhe nga tabela më poshtë, të drejtat e autorit
ndërthuren jashtëzakonisht shumë me veprimet e një biznesi saqë një
neglizhencë e vogël në këtë drejtim mund të i kushtojë biznesit
jashtëzakonisht shumë. E drejta e autorit ngërthen në vete disa të
drejta siç janë e drejta e riprodhimit, shpërndarjes, qiradhënjes,
përpunimit, adaptimit etj, të cilat mund të administrohen dhe
transferohen bashkarisht apo ndaras nga njëra tjetra. Pra, autori
mund të i’a bart të drejtën e riprodhimit të veprës së caktuar
ndërmarrjes A, ndërsa të drejtën e adaptimit ndërmarrjes B. Prandaj,
ndërmarrja duhet të sigurohet që në marrëveshjet me autorët e
veprave të I cekin në mënyrë specifike se cilat të drejta ekonomike
saktësisht autori ia kalon në pronësi ndërmarrjës.
Lloji i PI
Çfarë mund të mbrohet?
Qëllimi
Markë tregtare
Shenjat identifikuese siç janë emri i biznesit, logot,
emrat e produkteve, format apo paketimet e produkteve,
ngjyrat e paketimeve dhe kombinimi i të gjithave
Identifikon produktet/sherbimet e ndërmarrjes dhe dallon
ato prej produktete/sherbimeve të ndërmarrjeve tjera.
Patentë
Produktet apo proceset e reja.
Mbron karakteristikat teknike inovative të një produkti.
Dizajn industrial
Paketimet e produkteve apo forma e produktit
Mbron pamjen e jashtme/vizuele apo estetike të
produktit.
E drejtë e autorit
Përmbajtja kreative, materialet e shkruara, fotografitë,
videot, logot, ueb faqet, bazat e të dhënave, softuerët
kompjuterik etj.
Mbron shprehjen apo paraqitjen origjinale të idesë.
4. Përfshirja e klauzolave të PI-së në kontrata
Të gjitha objektet e pronësisë intelektuale/industriale krijohen nga
personat fizik. Për shembull, fotografia shkrepet nga fotografisti,
si i vetëpunësuar apo punonjës në një ndërmarrje të caktuar. Pastaj,
shpikja e një produkti të ri bëhet nga shpikësi. Llogoja apo dizajni
i një produkti të caktuar e cila mund të shërbejë si markë tregtare
apo edhe dizajn industrial dizajnohet nga dizajnuesi si person
fizik. Prandaj, në parim pronësia i’u takon atyre personave që e
kanë krijuar atë vepër apo kanë shpikur ndonjë risi e të ngjajshme
përveç nëse është përcaktuar ndryshe me kontratë ose me ligj.
Në mungesë të marrëveshjes, çështja e përcaktimit të pronësisë jo
gjithmonë është aq e thjeshtë sa mund të duket. Nëse marrim si
shembull markat tregtare figurative të cilat në vete përmbajnë
elemente artistike origjinale. Një shenjë e tillë mundet padyshim të
mbrohet si markë tregtare, mirëpo edhe me të drejtën e autorit. Në
rast të përdorimit të paautorizuar të kësaj shenje nga një
ndërmarrje tjetër, pretendimet për shkeljen e të drejtës së markës
tregtare apo të drejtës së autorit mund të marrin kahje të ndryshme
përsa i përket çështjes së provimit të pronësisë dhe rrjedhimisht,
përdorimit të paautorizuar. Si ndodh kjo?
Ndërmarrja apo biznesi që pretendon shkeljen, pra paditësi, duhet
para së gjithash të provojë që ka të drejtë të iniciojë rastin, pra
është bartësi i së drejtës. Në pretendimin për shkeljen e markës
tregtare, bartës është ndërmarrja në emër të së cilës është lëshuar
vendimi për regjistrimin e markës tregtare. Prandaj, me kusht që të
ketë një regjistrim të markës tregtare, barra e provës përmbushet
shumë lehtë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që e njejta ndërmarrje është
edhe bartës i të drejtës autoriale mbi atë logo. Rikujtojmë që në
rastin e të drejtës së autorit nuk është i nevojshëm regjistrimi.
Prandaj, çështja e provimit të pronësisë të të drejtës së autorit
mund të ndërlikohet në rast se nuk ekziston një marrëveshje midis
autorit dhe biznesit. Kjo për faktin se bartës i parë është
gjithëmonë autori i cili ka krijuar logon (vlen edhe për patenta dhe
dizajne industriale).
Për të shtyrë përpara pretendimin për shkeljen e të drejtës së
autorit, ndërmarrja duhet të e provojë që është bartës i së drejtës
së autorit sipas kontratës për bartje midis ndërmarrjes dhe autorit.
Në mungesë të kontratës për bartje, ndërmarrja do të duhet të
provojë se është bartës i së drejtës së autorit sipas ligjit,
përkatësisht kjo logo është krijuar nga marrëdhënia e punës apo
sipas kontratës mbi vepër. Nëse nuk arrin të provojë një marrëdhënie
të tillë, atëherë nuk do të ketë sukses në pretendimet për shkelje
të së drejtës së autorit.
Rasti më lartë paraqet më së miri rëndësinë e kontratave në
përgjithësi dhe klauzolave të PI në veçanti për t’u siguruar që
pronësia mbi një të drejtë të caktuar të PI është bartur tek
ndërmarrja apo biznesi. Kështu, në mënyrë që ndërmarrja apo biznesi
të jetë para së gjithash pronari i vetëm i cilësdo të drejte të PI
të krijuar përgjatë veprimtarisë së biznesit, të njejtit duhet të
sigurohen që marrëveshja midis themeluesve për krijimin e
ndërmarrjes, pastaj marrëveshjet me kontraktuesit apo kontratat mbi
vepër, mirëpo edhe kontratat e punës të përfshijnë klauzolën e
transferimit apo bartjes së një të drejte të caktuar të PI-së tek
ndërmarrja. Biznesi duhet të jetë pronari i vetëm i çdo PI dhe asnjë
supozim i pronësisë nuk duhet të lejohet. Krijuesi i një vepre të
caktuar, shpikësi ose dizajnuesi që nga fillimi i marrëdhënies
kontraktuale, duhet të jenë të vetëdijshëm se e gjithë e drejta,
titulli dhe interesat e një të drejte të caktuar të PI do t'i jepen
vetëm kompanisë dhe jo personit i cili në të vërtetë krijoi atë PI.
Këto klauzola gjithashtu sigurojnë që në rast të largimit të
themeluesit apo punonjësit të caktuar, çfarëdo PI e krijuar mbetet
në pronësi të ndërmarrjes apo biznesit. Në mungesë të një klauzole
të tillë, ligjet e aplikueshme përcaktojnë rregullat të cilat mund
të rregullojnë një marrëdhënie të tillë. Mirëpo, dispozitat që e
rregullojnë këtë raport janë shumë të kufizuara dhe, rrjedhimisht,
përcaktimi me kohë i kritereve apo politikave të qarta nga bizneset
në lidhje me pronësinë përmes marrëveshjeve është jashtëzakonisht i
rëndësishëm.
5. Shmangia nga përdorimi i paautorizuar i PI-së
Sa është e rëndësishme që një ndërmarrjë të identifikojë dhe mbrojë
asetet që mund të jenë objekt i mbrotjes me të drejtat e PI po aq e
rëndësishme është që ndërmarrja të sigurohet se me veprimet e
caktuara nuk po shkel në territor të huaj. Pra, duhet të sigurohet
se nuk po përdor pa autorizim të drejtat e PI-së që i përkasin një
ndërmarrje tjetër. Me qëllim që të shmangni përdorimin e
paautorizuar dhe pranimin e kërkesave për ndalim të shkeljes nga të
tjerët, ndërmarrja duhet para së gjithash të sigurohet që të
këshillohet me profesionistë të fushës në lidhje me pengesat që mund
të ekzistojnë varësisht nga lloji i PI duke bërë një hulumtim
paraprak të regjistrave apo edhe vetë tregut të caktuar. Në këtë
mënyrë biznesi do te shmangte investimet e panevojshme të cilat mund
të jenë të konsiderueshme kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e të drejta
të PI në vendet e interesit.
Bizneset duhet gjithashtu të jenë në dijeni se mungesa e njohurive
nga ndërmarrja apo ndërmarrësi nuk e përjashton përgjegjësinë.
Ndryshimet jo thelbësore apo minimaliste midis markave për shembull,
nuk e shmangin përgjegjësinë. Gjithashtu, fakti që një vepër si
p.sh. fotografi, video apo të ngjashme janë publikuar në internet
apo janë lehtë e shkarkueshme nuk do të thotë që ndodhen në domenin
publik dhe se mund të përdoren pa autorizim. Prandaj, ndërmarrësi
duhet të sigurohet që në veprimtarinë e tij të biznesit të përdor
vetëm me përmbajtje të autorizuar.
Për të përmbledhur, mbrojtja adekuate e PI të një kompanie është një
hap vendimtar në parandalimin e shkeljes së mundshme dhe në kthimin
e ideve në pasuri biznesi me një vlerë të caktuar. Shfrytëzimi i
plotë i sistemit të PI-së u mundëson ndërmarrjeve të përfitojnë nga
kreativiteti i tyre inovativ, i cili inkurajon dhe ndihmon në
financimin e risive të mëtejshme. Prandaj, është shumë me rëndësi që
të gjithë ndërmarrësit ta konsiderojnë mbrojtjen e të drejtave nga
PI si investim dhe jo shpenzim dhe, rrjedhimisht të planifikojnë
mbrojtjen e këtyre të drejtave që nga hapat e parë të veprimtarisë
dhe sigurisht të i paraprijnë shkeljeve apo përdorimeve të
paautorizuara nga të tjerët.
Published : December 2021

Kujtesa Nezaj
IPLegals
+383 44 434 053
info@ip-legals.com
Rr. Shefqet Shkupi, Kompleksi Prishtina Stars, Blloku B, Nr. 7, 10000 Prishtine, Kosovo
Get in touch